Unioni i Turizmit të Kosovës (UTK) njofton se ka marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Izmir ku kanë prezantuar potencialet dhe ofertat turistike të vendit.

Sipas UTK-së, janë zhvilluar shumë takime ndërmjet operatorëve ekonomik për të sjellë grupe turistësh në Kosovë.

UTK thotë se ka pasur takim me presidentin e Shoqatës së Bizneseve “Batuder”, Akin Kazançoglu ku kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të thellimit të bashkëpunimit në sektorin e turizmit dhe investimeve në Kosovë.

Po ashtu, Unioni i Turizmit të Kosovës thotë se është pritur nga Oda Ekonomike dhe Tregtare e Izmirit, përkatësisht kryetari Mahmut Ozgener, drejtori për investime dhe drejtori për turizëm, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dhe harmonizimin e aktiviteteve të përbashkëta.

Delegacioni thotë se u takua edhe me kryesinë e Shoqatës Shqiptare në Izmir dhe shumë përfaqësues të bizneseve atje, me qëllim të vendosjes së urave të komunikimit dhe bashkëpunimit. /Telegrafi/